Ngritja e kapaciteteve profesionale të personelit të Ministrisë së Drejtësisë përgjegjës për “Vizibilitet dhe Komunikim Efektiv” ishte epiqendra e trajnimit njëditor të mbajtur më 7 tetor 2022 në Prishtinë. Në këtë ngjarje u trajnuan 12 nëpunës civilë dhe staf i kabinetit të cilët në përgjithësi dhe në mënyrë specifike morën njohuri për komunikimin efektiv dhe ofrimin e vizibilitetit në zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave, duke përfshirë pjesën e komunikimit të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”. Trajnimi u mbajt nga Eksperti afatmesëm i EUKOJUST-it për Komunikim dhe Vizibilitet, Berat Kryeziu, me mbështetjen teknike të Ekspertes afatgjatë për Arsimim Publik Juridik /Dhunën në Familje dhe Grupet e Margjinalizuara, Bardhë Krasniqi.
Pjesëmarrësit e vlerësuan shumë këtë trajnim dhe përfituan si nga pikëpamja profesionale ashtu edhe nga përvoja e mirë e ekspertëve.
Trajnimi u mbajt në kuadër të objektivës specifike të projektit EUKOJUST për forcimin e qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, veçanërisht përmes ofrimit të mbështetjes teknike dhe thelbësore për Ministrinë e Drejtësisë dhe Koordinatoren Nacionale kundër Dhunës në Familje në komunikimin e rezultateve të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës ndaj Grave 2022-2026 dhe Planit të Veprimit 2022-2024.