Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), i mbështetur nga Programi i Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë EUKOJUST, po harton një Manual për përkthyes dhe interpretë në gjykata.
Të mërkurën, më 29 qershor 2022, në Prizren u organizua një punëtori për këtë Manual me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Zyrën e Përkthimit të KGJK-së, Komisionin Normativ dhe përkthyes dhe interpretë nga gjykatat. Punëtoria u moderua nga Ekspertja e EUKOJUST-it për Qasje në Drejtësi, Alina Matache, dhe u mbështet nga Ekspertja e EUKOJUST-it për Menaxhimin e shërbimeve të përkthimit në gjykata dhe prokurori, Filloreta Hoxha.
Punëtoria është vazhdimësi e 25 Rekomandimeve të EUKOJUST-it për përballimin e lëndëve të grumbulluara për përkthim në gjykatat e Kosovës dhe për përmirësimin e menaxhimit të shërbimeve të përkthimit në gjyqësor.
Manuali përcakton standardet dhe normat për përkthyesit dhe interpretët në sektorin gjyqësor, duke filluar nga përcaktimi i numrit të faqeve që duhet përkthyer në ditë, numri i orëve që një interpret duhet të kalojë në një seancë dhe përdorimi efikas i burimeve njerëzore. Përmirësimi i cilësisë së përkthimeve, duke përfshirë gjuhën zyrtare jo-shumicë është një nga aktivitetet kryesore të Objektivës 4 të projektit EUKOJUST kushtuar Qasjes në Drejtësi. Interpretimi dhe përkthimi ligjor në një kontekst dygjuhësh janë të një rëndësie themelore për të ndihmuar në mbrojtjen e të drejtave të personave që nuk e flasin ose nuk e kuptojnë gjuhën e procedurës dhe janë gjithashtu thelbësore për të mbrojtur drejtësinë e procedurës gjyqësore.