Kategori
Uncategorized

Ambasadori Szunyog lanson projektin 7 milionë eurosh të BE-së për reformimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, Ambasadori Tomáš Szunyog, së bashku me Ministrin e Drejtësisë të Kosovës, Kryesuesit e Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial, si dhe Drejtorin e Akademisë së Drejtësisë, lansuan Programin e Bashkimit Evropian/Sektorit të Drejtësisë në Kosovë. Projekti do të implementohet deri në janar 2024 dhe ka një buxhet prej 7 milionë eurosh. BE-ja aktualisht është duke investuar rreth 50 milionë euro të fondeve të Instrumentit të Asistencës së Para-Antarësimit (IPA) në sundimin e ligjit në Kosovë.

Projekti do të punojë me Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës dhe Akademinë e Drejtësisë si dhe me aktorë të tjerë kyç në këtë sektor. Fokusi kryesor i projektit është përmirësimi i koordinimit në sektorin e drejtësisë dhe mbështetja në zbatimin e strategjisë së sektorit të Sundimit të Ligjit. Një draft i kësaj strategjie është vënë në konsultim në 18 janar. BE dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë e kanë mbështetur këtë iniciativë.

Programi synon reformimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare. Ai do të ndihmojë institucionet në konsolidimin e kornizës ligjore dhe institucionale, forcimin e pavarësisë, paanshmërisë, llogaridhënies, profesionalizmit, cilësisë, efikasitetit dhe transparencës së gjyqësorit dhe po ashtu do të përmirësojë qasjen në drejtësi për çdo qytetar, veçanërisht për gratë dhe grupet e pafavorizuara ose të margjinalizuara.

Ambasadori Szunyog theksoi se një sistem i drejtësisë i pavarur, i paanshëm dhe profesional është element thelbësor për një shoqëri demokratike dhe se qytetarët e Kosovës kanë plotësisht të drejtë të presin që të kenë institucione të pavarura dhe profesionale të sundimit të ligjit në shërbim të tyre dhe që këto institucione të sigurojnë të drejtat e tyre civile dhe të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në mënyrë efikase.

Ky projekt zbatohet nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ) si partner udhëheqës së bashku me partnerët e projektit: Qendrën për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (CILC, Holandë) dhe Ministrinë e Drejtësisë së Kroacisë.